Duka: Pavarësisht se çfarë bën PD, futemi në zgjedhje

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, ishte i ftuar në Ditarin e orës 09:00 në A2 CNN. Duke folur në lidhe me protestën e të shtunës, zoti Duka tha se nuk mendon që përmes saj do të arrihet rrëzimi i qeverisë.

“Do të isha shumë i lumtur nëse do ta bënim këtë. Por mendoj që është e vështirë që Kryeministri aktual të lejojë krijimin e një qeverie tranzitore. Do të ishte shumë mirë nëse do të bënte këtë”, tha Duka. “Protesta bëhet për deligjimitetin e kësaj qeverie të ardhur në pushtet përmes votave të vjedhura”.

Duka tregoi se platforma e propozuar nga Partia Demokratike do të ridiskutohet pas protestave, si dhe zbuloi dy pikat ku ndahet me PD, reforma zgjedhore dhe bujqësia.

Në rast se opozita do të vendosë të mos marrë pjesë në zgjedhje, Duka konfirmoi se partia e tij nuk do ta ndjekë në këtë rrugë.

“Për ne nuk është opsion, ndërsa për PD apo LSI, nuk e di. Asnjëherë nuk është artikuluar në mënyrë të qartë nga Basha, apo Kryemadhi, që nëse nuk plotësojnë këto, shkojmë në bojkot”, tha Duka. “Sido që të vendosin, ne do të futemi në zgjedhje. Nuk do të bëjmë gabimin që bëmë në 2017-n, ku nuk u regjistruam dhe u detyruam më pas të futeshim në listat e Partisë Demokratike. Dhe sot, Partia Agrare Ambientaliste, që përfaqëson një shtresë të caktuar të shoqërisë, rezulton me 0 vota”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN