Prezantohet Ferrari, ‘‘kokëkuqja’’ e 90-vjetorit

Me prezantimin e makinës së re, e cila quhet SF90, në kujtim të 90-vjetorit të themelimit, Ferrari nis zyrtarisht sezonin 2019 në Formula 1.

Prezantim plot stil ai i njëvendëshes së kuqe, ku ngjyra është paksa më e errët se në të kaluarën. Ndryshimi në pamje lidhet edhe me emrin e sponsorit, ku tashmë gërmat do të jenë të zeza.

Ferrari i Botërorit të ardhshëm nuk përmban asnjë revolucion teknik, por është zhvillimi i makinës së edicionit të kaluar. Kjo është makina e 65-të e realizuar nga prodhuesi italian për konkurrimin në garën më të rëndësishme me makina.

Me pilotët Sebastian Vettel dhe Charles Leclerc, ‘kokëkuqja’ është e projektuar drejt titullit kampion për pilotë, i cili mungon prej vitit 2007. Një tjetër makinë u prezantua edhe në Toronto, Kanada.

Racing Point, e cila më parë njihej me emrin Force India. Epoka e re nisi duke i qëndruar besnikë ngjyrë rozë, me emrin e sponsorit të shkruar me blu. Në timon me meksikanin Serxho Perez dhe kanadezin Lance Stroll, djalin e pronarit të ri, Lawrence Stroll, objektivi është të vazhdojnë të surprizojnë, pas pozicionimit në vendin e katërt në sezonet 2016 dhe 2017. Provatdo të nisin prej fillimit të javës së ardhshme, ndërsa testi i parë do të jetë në Melburn më 17 mars, në Çmimin e Madh të Australisë, gara e parë e Formula 1. Të paktën për Ferrarin, rivalët e mëdhenj për t’u mposhtur janë Mercedes dhe Red Bull-Honda.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN