Letër e Trump, kërkon njohje reciproke mes Kosovës e Serbisë – A2

Letër e Trump, kërkon njohje reciproke mes Kosovës e Serbisë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, I bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë përnjohje reciproke, duke e cilësuar normalizimin e marrëdhënieve si një hap thelbësor për të ardhmen e tyre.

Kreu i shtëpisë së Bardhë u dërgoi letër presidentëve Hashim Thaci dhe Aleksandër Vucic me rastin e 11 vjetorit të pavarësisë së Kosovës dhe ditës së shtetësisë së Serbisë.

Në letrën dërguar Thaçit thuhet se “tani kur Kosova po fillon dekadën e saj të dytë si një vend i pavarur dhe sovran, unë i inkurajoj qytetarët e Kosovës që të përqendrohen në ruajtjen e parimeve demokratike, në forcimin e sundimit të ligjit dhe në avancimin e mundësive ekonomike dhe tregtare. Më e rëndësishmja, Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet, që është thelbësore për integrimin perëndimor të Kosovës. Ne e shohim njohjen e dyanshme si themel të marrëdhënieve të normalizuara dhe si bazë për çfarëdo zgjidhje gjithëpërfshirëse”.

Të njëjtën porosi, presidenti amerikan i përcolli edhe Alesandër Vucic. “Shtetet e Bashkuara mbeten të palëkundura në përkrahjen ndaj angazhimit tuaj për të thelluar bashkëpunimin rajonal dhe në veçanti për përpjekjet tuaja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Ndërsa u takon palëve që të arrijnë një marrëveshje që mund ta mbështesin të dyjat, vlerësojmë se njohja e ndërsjellë duhet të jetë element thelbësorë i normalizimit afatgjatë të marrëdhënieve”.

Donald Trump u shkroi dy presidentëve edhe në muajin dhjetor, ku kërkoi që të shfrytëzohet momenti për një marrëveshje pajtimi.

Shkarkoni aplikacionin e A2