Skandali seksual, Papa dëbon nga kisha ish kardinalin

Theodore McCarrick, ish kardinal i Uashingtonit e për vite me radhë mes personaliteteve me më shumë ndikim në Kishën Katolike të Shteteve të Bashkuara është privuar nga statusi i priftit. 

Pas një hetimi të brendshëm, Papa Francesku mori vendimin për ta dëbuar përfundimisht nga radhët e klerit, pa të drejtë apelimi.

Autoritete të kishës amerikanë thanë se pretendimet se kishte sulmuar seksualisht një adoleshent 5 dekada më parë ishin të besueshme. 88 vjeçari kishte dhënë dorëheqjen nga detyra por ishte shprehur se nuk e kujtonte rastin në fjalë.

Papa Francescku dhe kardinali McCarrick para skandalit

McCarrick ishte arqipeshkvit i Uashingtonit nga 2001 deri në 2006. Që prej dorëheqjes nga kolegji i kardinalëve vitin e kaluar ai ka jetuar në izolim në një manastir të Kansasit. McCarrick u bë i pari kardinal që dorëhiqej që prej 1927-tës.

Kardinali 88 vjeçar është mes qindra pjesëtarëve të klerit të akuzuar për abuzime me fëmijët përgjatë disa dekadave. Lajmi për ndëshkimin e përfaqësuesit të lartë të kishës qarkullonte prej muajsh dhe ishte parë si një veprim i nevojshëm në prag të samitit mbi abuzimet seksuale në Vatikan.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN