Strategjia e policisë për mbrojtjen e Kryeministrisë

Ardi Veliu, drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit falënderoi personalisht efektivët në mbyllje të protestës së opozitës.

Kordoni i parë ishte ai që u përball me turmën gjatë momenteve të tensionit. Ndryshe nga çdo masë tjetër të cilën jemi mësuar ta shohim në protesta, kësaj here policia ishte pajisur me maska kundërgaz. Një veprim i tillë u komentua me dyshimet se protestuesit mund të posedonin tymuese të rrezikshme, por kjo ishte pjesë e planit operacional.

Në rastet e përkeqësimit të situatës, efektivë të gardës lëshonin gazin lotsjellës. Pak para nisjes së protestës, policia rrethoi të gjithë perimetrin e kryeministrisë. Mbi 1500 forca policore u angazhuan për mbrojtjen e selisë së këshillit të ministrave ndërsa në brendësi të saj u dislokuan Garda e Republikës, forcat e ndërhyrjes së shpejtë, ato të RENEA-s dhe repartet zjarrfikëse.

Në përfundimin, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj përmes një postimi në rrjetet sociale përgëzoi Policinë e Shtetit. Ai tha se u bë dallimi, si reagoi policia sot ndaj protestuesve dhe si reagoi në 21 janar të vitit 2011, kur u vranë katër prej tyre. Nga protesta e opozitës mbetën 7 efektive të plagosur. Ndërkohë që pas përfundimit të tubimit nisi identifikimi për personat që goditën dhe sulmuan Kryeministrinë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN