Basha: Të djegim mandatet – A2

Basha: Të djegim mandatet

Një ditë pas protestës së opozitës në kryeqytet, kreu i saj, Lulzim Basha doli në një deklaratë për mediat, ku bëri publik vendimin ekstrem që ka marrë.

Ai falënderoi pjesëmarrësit në protestë, ndërsa tha se kjo është e vetmja rrugë për të larguar Edi Ramën, që sipas tij, është i lidhur me bandat e kriminelëve. Basha tha se i ka propozuar grupit djegien e mandateve.

“Dua të falënderoj qytetarët për protestën. Dua t’i falënderoj sepse sakrifikuan nga vetja për një mision madhor, çlirimin e qeverisjes nga një grup hajdutësh. Njerëzit që u mblodhën aty përjetojnë qindra probleme dhe halle që kanë si burim, padrejtësisë, tradhtinë, dhunën dhe vjedhjen. Dua t’iu falënderoj nga zemra se ju përgjigjët thirrjes në pjesëmarrjen më të madhe që ka parë ndonjëherë vendi”, tha Basha.

Më tej, kreu i PD u shpreh se luleve të qytetarëve, qeveria iu përgjigj me gaz.

“Me gaz iu përgjigjën luleve dhe civilizimit tuaj. Dhuna kundër qytetarëve protestues provon degradimin e këtij shteti. Dhuna dhe helmimi i qytetarëve bëhet në emër të Ramës për llogari të mbrojtjes së pushtetit të tij të kalbur. Por këtë popull të tradhtuar nuk e ndal askush. Kam vendosur ti propozoj grupit parlamentar dhe forumeve më të larta vendimmarrëse të PD, djegien e mandateve parlamentare në mbështetje të qëllimit dhe aspiratës që ju dje dëshmuat që është mbarëkombëtare europiane dhe e pandalshme, mbrojtjen e shtetit të së drejtës, Shqipërinë si e gjithë Europa. Qeveri tranzitore dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme, parlament të popullit dhe jo të krimit”, u shpreh Basha.

Shkarkoni aplikacionin e A2