Kosova 11 vite pavarësi, festime dhe homazhe në të gjithë vendin

Kosova po feston sot përvjetorin e 11 të shpalljes së pavarësisë. Autoritetet zhvilluan gjatë ditës aktivitete të ndryshme për të kremtuar këtë ditë të veçantë.

Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli, ishin në krah të njëri tjetrit, pa shkëmbyer shumë fjalë teksa vendosnin lule në shtatoren e Ibrahim Rugovës,  monumentin e të zhdukurve në luftë apo varrezat e Jasharëve.

Në fjalën e tij në Kuvend, Kryeministri Haradinaj bëri thirrje që marrëveshja të vazhdojë të negociohet, por në bazë të kufijve ekzistues kosovar, kurse kreu i Parlamentit Kadri Veseli,  i bëri thirrje politikanëve t’i lenin inatet dhe të bashkohen në arritjen e një marrëveshje në interesin kombëtar.

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm  në sallën e Kuvendit. Disa deputet i kërkuan të merrte fjalën, por u preferua të respektohej protokolli.

Flamujt e Kosovës dhe Shqipërisë pushtuan sheshin Nënë Tereza, ku qytetarët kishin zbarkuar nga tërë qytetet e Kosovës për të ndjekur parakalimin e forcave te sigurisë së Kosovës.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN