“Kufiri”, Thaçi për A2 CNN: Askush s’ka harta mbi tavolinë

11 vite më parë, Presidenti Hashim Thaçi, në atë kohë kryeministër i vendit, firmosi Pavarësinë e Kosovës. Sot, pas 11 vitesh shprehet krenar për progresin dhe suksesin e shtetit më të ri në rajon, njohur ndërkombëtarisht nga 116 shtete. Në një intervistë për A2 CNN, në festën e Pavarësisë, kreu i shtetit flet për sfidat e në ardhmen.

“Po punojmë për konsolidimin e brendshëm. Trendi i zhvillimit ekonomik, 4% prej 11 vitesh. Natyrisht kemi sfida, në veçanti reformat demokratike, në politik, lufta kundër krimit të organizimit”, u shpreh Thaçi për A2 CNN.

E duket se një nga sfidat më të afërta, mbetet marrëveshja me Serbinë. “Kosova këtë vit do arrijë marrëveshjen me Serbinë, ajo duhet të jetë gjithë-përfshirëse. Që do hapë perspektivën për anëtarësim në NATO dhe BE, por që në veçanti do njohë Kosovën nga Serbia. Anëtarësimin në OKB. Korrigjimi I kufirit, Kosovë dhe Serbi duhet ta zyrtarizojnë këtë çështje”, tha Presidenti i Kosovës.

Për këtë, Thaçi thotë se ende askush nuk ka folur në terma konkretë: “Askush s’ka fol për tokë, s’ka harta në tavolinë, duhet të ndodhë definimi i kufirit si ai mes Shqipërisë e Greqisë. Marrëveshja duhet të jetë mes dy vendeve duke respektuar sovranitetin territorial”.

Një përgjigje, Thaçi e ka edhe për ata që për këtë çështje, e kanë quajtur tradhtar: “Individë apo politikanë provincial e shpellarë, ata që më quajnë tradhtar”.

I pyetur në fund për darkën e disa javëve më parë, në shtëpinë e tij, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Rama, Thaçi shprehet: “S’ka qenë darkë me axhendë politike por, shumë miqësore. Shqiptarët duhet të gëzohen që liderët e tyre i kanë kaq pranë”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN