Pavarësia e Kosovës, festime dhe homazhe në të gjithë vendin

Kosova feston sot 11-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Kjo ditë e shënuar në kalendarin festiv, nisi plot gjallëri. Ekzekutivi i kryesuar nga Ramush Haradinaj mbajti një mbledhje, e cila u pasua nga ngritja solemne e Flamurit të Republikës së Kosovës.

Më pas, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Haradinaj kryen homazhe tek shtatorja e ish-presidentit Ibrahim Rugova në sheshin që mban emrin e tij në Prishtinë.

Homazhet vijuan edhe pranë memorialit për personat e pagjetur pranë ndërtesë së Kuvendit. Ndërsa më pas kurora me lule do të vendosen edhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Ndërkohë, e gjithë dita e sotme është e mbushur me aktivitete të ndryshme për celebrimin e 11 vjetorit të Pavarësisë: do të ketë seancë solemne në kuvend, parakalim të Forcës së Sigurisë së Kosovës, pritje shtetërore nga Thaçi dhe Haradinaj si dhe një koncert festiv në Prishtinë.

Haradinaj: Njohje reciproke me Serbinë me kufijtë ekzistues

Gjatë mbledhjes solemne të qeverisë së Kosovës në 11 vjetorin e Pavarësisë, Kryeministri Ramush Haradinaj tha se në dekadën e dytë të pavarësisë duhet të arrihet një marrëveshje me Serbinë me njohje reciproke me kufijtë ekzistues.

Ai nënvizoi se vendi nuk e ka luksin të bëjë hapa prapa. “Në dekadën e dytë, është një vit i konsolidimit tonë si shtet i mbylljes së temave të hapura si dhe një marrëveshje për njohje me Serbinë dhe anëtarësimi ynë në NATO. Bindja ime është se Kosova nuk e ka luksit të bëjë hapa prapa, por vetëm përpara dhe këtë duhet t’ia bëjmë të ditur edhe ndërkombëtarëve”, tha ndër të tjera Haradinaj.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN