Spahiu: Jemi më të pjekur, të kemi dy shtete është pasuri e madhe

Një nga intelektualët më të njohur kosovar, Nexhmedin Spahiu, i intervistuar nga A2 bëri një bilanc të këtyre 11 viteve pavarësi.

Rruga për integrimin në Bashkimin Evropian, marrëveshja me Serbinë dhe tensionet politike mbeten ende çështje te pazgjidhura për Prishtinën zyrtare, por si i duket Kosova Nexhmedin Spahiut pas më shumë se një dekade?

“Më e pjekur, shumë më e pjekur, qoftë edhe vetëm në aspektin vizual.  Në qoftë se iu kujtohet,  11 vite me parë ishin të ekspozuar vetëm flamuj të Shqipërisë, sot kemi gati pothuajse vetëm flamuj të Kosovës”.

Sipas tij, “ kjo tregon një vetëbesim më të madh në vete dhe një pjekuri shtetërore. Është shenja e parë që shihet, po Kosova po ecën me hapa më të ngadalta nga ato që mendonim atëherë, kur shpresonim se në këtë pikë do të ishim pjesë e Bashkimit Evropian”.

Spahiu pohon se “Ka një mosbesim në një pjesë të popullsisë që mendon se Kosova nuk mund të mbijetojë e vetme, mbajnë ende simbolet e Shqipërisë se mendojnë se problemet tona vetëm Tirana mund t’i zgjidhë”.

Por ai mendon ndryshe.  “Unë mendoj që raportet midis Tiranës dhe Prishtinës të jenë vëllazërore por mos të ketë ndërhyrje”. Është luks që të kesh 116 njohje, kur Katalunja më e madhe dhe e pasur sesa të dy vendet tona bashkë nuk ka asnjë. Disa nuk  e kanë të qartë se të kemi dy shtete është pasuri shumë më e madhe së të jemi vetëm, duhet ta shfrytëzojmë mundësinë”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN