SPECIALE/ Dialogu Kosovë-Serbi, 8 vite negociata, marrëveshja finale ende larg

Kanë kaluar 11 vite që prej momentit kur Kosova shpallte pavarësinë e saj dhe thuajse 8 vite që kur nisi dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, janë zhvilluar 8 raunde mes palëve. Marrëveshje të ndryshme janë arritur duke çuar dialogun në fazën finale. BE ka bërë të qartë si bisedimet duhet të përfundojnë me njohje reciproke dhe pranimin e Pavarësisë së Kosovës e ka shndërruar në kusht kryesor për integrimin e Serbisë.

Përkushtimi i Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën është çështje kyçe për negociatat e anëtarësimit”, thoshte Federica Mogherini, përfaqësuesja e lartë e BE.

Ndërsa Kosova shpreson vit pas viti për një marrëveshje gjithëpërfshirëse pajtimi, Serbia dukshëm nuk është gati për të bërë hapin e madh. Shpeshherë ka përdorur çdo justifikim për të pezulluar dhe bllokuar dialogun. Në janar të vitit 2018, vrasja e politikanit të komunitetit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviç, krijoi përplasje të mëdha me akuza të ndërsjella mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Delegacioni serb braktisi dialogun në Bruksel sepse nuk ka asnjë kuptim të flasim me njëri-tjetrin në këto rrethana”, shprehej Vuçiç.

“Dënojmë çdo tendencë për shfrytëzimin e këtij krimi makabër, për agjenda politike dhe për agjenda të tjera”, shprehej Haradinaj.

Duke ditur se bisedimet me Prishtinën përfundojnë vetëm me njohje reciproke, Vuçiç zhvilloi dialog të brendshëm kombëtar për të bindur serbët se nuk ka zgjidhje tjetër, por nuk ia doli. Tensionet mes dy shteteve fqinje vijuan të rriteshin tej mase dhe kulmuan me provokimin e radhës nga Serbia.

I ashtuquajturi drejtor i zyrës së Kosovës në qeverinë serbe, Marko Gjuriç, hyri ilegalisht në Mitrovicë. Ai u ndalua nga autoritetet e Kosovës, në një nga operacionet më profesionale të Forcave Speciale. Kjo bëri që Serbia të përballej me realitetin dhe të kuptonte që Kosova tashmë është shtet sovran dhe i pavarur. Presidenti Vuçiç mobilizoi ushtrinë në një mbledhje të Këshillit për Sigurinë Kombëtare.

Vuçiç: “Terroristët e veshur me uniforma si njësi speciale të policisë së shtetit jo-ekzistues të Kosovës kishin për qëllimtë tregonin se janë në gjendje të pushtojnë pjesën veriore të provincës së Serbisë”

Natyrisht, përballë një retorike kaq të ashpër, Kosova nuk mund të qëndronte e heshtur. “Çfarëdo që ka ndodhur mbaj përgjegjësi”, zotohej Thaçi.

Edhe ky zhvillim bëri që dialogu të ndërpritej për disa kohë. Precedenti i radhës do të shënohej në shtator të vitit 2018 kur Vuçiç nuk pranoi të merrte pjesë në takimin me Thaçin në Bruksel pasi Kosova nuk i dha leje që të vizitonte liqenin e Ujmanit. Pavarësisht se dialogu dështoi, presidenti serb me anë të presionit të ndërkombëtarëve arriti që të siguronte lejen nga Prishtina.

Megjithatë, shumë shpejt ndërkombëtarët do të pendoheshin për këtë, pasi Vuçiç lartësoi figurën e Sllobodan Millosheviçit duke përmendur kohën e luftës. Ai tha se i lutet Zotit që marrëveshja me Kosovën të vijë pas 20 vitesh.

Aleksandar Vuçiç: “Prej muajsh po përsërisin se si dikush është përgatitur që të pranojë Pavarësinë e Kosovës, unë këtu iu them të gjithëve se kjo është gënjeshtër dhe nuk do të ndodhë”.

Reagim shumë i ashpër erdhi ndaj tij nga Prishtina. Vetë presidenti Hashim Thaçi vendosi të bënte një vizitë në Ujman për t’i dërguar një mesazh Serbisë: “Kosova është unike, e pavarur, sovrane. Edhe bisedat në Bruksel do të jenë për paqe dhe për njohje reciproke”.

Vizita e Thaçit në këtë pjesë të territorit të Kosovës alarmoi shtetin serb, me presidentin Vuçiç që vendosi në gatishmëri ushtrinë e vendit. Përsëri Beogradi arriti të bllokonte dialogun. Pas kësaj, Serbia ashpërsoi fushatën ndaj Kosovës duke bllokuar anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Përballë kësaj situate, qeveria e Prishtinës do të ndërmerrte masën e parë ndëshkuese: vendosjen e tarifës 100% ndaj mallrave serbe.

Haradinaj: “Janë bërë 20 vjet nga, lufta dhe 10 vjet nga Pavarësia dhe Serbia nuk merr vesh. Këtë e di dhe BE dhe SHBA që nuk po tregon një normalizim”.

Duket si masë ndëshkuese, por për Serbinë është një shkas shumë i fortë për të penguar dialogun dhe bashkë me të njohjen. E ndërsa palët vijojnë të grinden, arritja e marrëveshjes finale duket ende shumë larg…

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN