SPECIALE/ Ëndrra e Kosovës për integrim, sfidat që frenuan progresin

Në 17 shkurt të vitit 2008-të, ëndrra shumëvjeçare e Kosovës për Pavarësi u bë realitet.

Beteja është përqendruar tani në një tjetër front, integrimin euroatlantik. Krijimi i një shteti solid dhe demokratik rezultoi i mundimshëm për Kosovën e shënjuar nga ndasitë etnike, përçarjet politike dhe korrupsioni.

Shumë shpresa mbetën rrugës, objektivë të rinj u përcaktuan, por dëshira për t’u bashkuar me familjen euroatlantike, qëllim ky i shprehur edhe në deklaratën e pavarësisë, nuk u lëkund.

Sipas sondazheve, populli i Kosovës është ai që e dëshiron më shumë anëtarësimin në Be, në krahasim më vendet e tjera të Ballkanit, por shanset që kjo të realizohet nuk janë përmirësuar.

Republika e Kosovës siguroi 116 njohje diplomatike si shteti i pavarur, 10 prej të cilave janë tërhequr. Vendi i është bashkuar rreth 200 organizatave ndërkombtare si FIFA dhe FMN, dhe ka marrë pjesë në konkurse ndërkombëtare.

Por shumë shtete, ndër të cilat edhe 5 anëtarë të bashkimit europian, e gjithashtu Rusia dhe kina qe kane te drejte vetoje ne OKB, refuzojnë ta njohin, e kjo mbetet një barrierë e rëndësishme.

Janë politika që lidhen me presionin që ushtron Beogradi për ta mbajtur sa më të izoluar Kosovën. Në raport me vizat, janë më shumë faktorë të jashtëm. Është paradoksale, pasi Kosova një pjesë të madhe të popullatës e ka në vendet e BE”, u shpreh Arben Çejku, ish Ambasador i Shqipërisë në Kosovë.

Marrëveshja e propozuar nga Vuçiç-Thaçi nuk besoj se sjell një njohje automatike në OKB. Në diplomaci shumë gjera thuhen, por nuk është kjo ajo që funksionon. Rusia dhe Kina rastin e Kosovës do ta përdorin në shkëmbim të atyre problemeve të ngrira që ka Rusia”, shprehet Agim Nesho, diplomat, ish-ambasador në OKB.

Përcaktimi i kufijve me Malin e Zi, apo siç u quajt, marrëveshja e demarkacionit, u trumbetua nga ndërkombëtarët si hap i domosdoshëm për heqjen e regjimit të vizave.

Pas një beteje të gjatë brenda e jashtë Parlamentit, marrëveshja kontroverse, që sipas kritikëve i mori Kosovës 8 mijë hektarë tokë, u miratua nga ligjvënënësit.

Por liberalizimi vazhdoi të mbetej një ëndërr. “Demarkacioni ishte diçka që Kosova duhet ta bënte për arsye se nuk ka demokraci dhe republikë që nuk i ka të definuara mirë kufijtë. Jemi para zgjedhjeve të reja të PE. Ka një tendencë të prodhuar nga kriza e 2008-ës së BE përballet me krizën e emigracionit dhe krizën e euros, ka qëndrime euroskeptike, të cilat nuk kërkojnë që procesi i zgjerimit të BE të vazhdojë edhe më tej”, shprehet Nesho.

Përçarjet dhe pasiguritë që kanë përfshirë bashkimin europian për shkak të fuqizimit të populistëve, e gjithashtu lobimi kundër Kosovës nga shtetet pro–serbe apo atyre që e shfrytëzojnë kauzën për interesat personale, sigurisht që ka ndikuar në zvarritjen e procesit të integrimit. Por pengesat kryesore për Kosovën mbetën brenda kufijve të saj.

Kosova, në këndvështimin tim ka ende nevojë për një pjekuri më të madhe politike, institucionale për një marrëdhënie më të konsoliduar të besimit mes liderëve të Kosovë . Kosova nuk është njësoj si shtetet e tjera që kanë mbi 100 vjet shtet, prandaj lidershipi duhet të kishte një qasje më të mirë për sfidat që ka vendi”, thotë Çejku.

“Mendoj se Kosova është një demokraci e re dhe ka nevojë për konsolidimin e proceseve demokratike, si edhe probleme të tjera që ekzistojnë në Ballkan, si korrupsioni e të tjera”, thotë Nesho.

Historia e Kosovës me partnerët strategjikë, është një histori dashurie, por me kushte. Mbështetëse dhe promovuese të arritjes së një marreveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, Shtetet e Bashkuara e Bashkimi Europian e kanë vënë dialogun mes dy vendeve në krye të listës së gjatë të detyrave të shtëpisë për Kosovën.

Në këtë kuadër taksa që qeveria e Kosovës ka vendosur ndaj produkteve serbe po konsiderohet një hap i madh prapa. Liderët e Kosovës e cilësojnë si një masë reciprociteti ndaj Serbisë fqinje, por nga ndërkombëtarët, ajo dënohet si pengesa kryesore e dialogut, dhe rrjedhimisht proceseve integruese.

Trysnia e Shteteve të Bashkua dhe Bashkimit Europian sa vjen e rritet, por sa do të ndikojë ajo në aspiratat euroatlanike të Kosovës?

Kosova është një nga vendet më pro amerikane në botë. Perëndimi ka aty interesat e veta, nuk mund të ketë sanksione pa fund sepse është edhe aleati natyral i në këtë zonë i Perëndimit. Sigurisht që edhe presionet do të jenë se edhe vetë opinion publik është pro amerikan dhe vetë shoqëria civile i bën presion qeverisë që të pranojë atë që ka thënë partneri strategjik më i pranueshëm dhe më i vlefshëm që ka Kosova”, u shpreh diplomati Nesho.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN