Gjermanët i besojnë më shumë Rusisë se Amerikës

Gjermanët i besojnë më shumë Rusisë se Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të dhënat surprizuese vijnë nga një sondazh i publikuar nga televizioni ARD dhe gazeta Die Welt.

Analistët që kanë kryer studimin, konstatuan se gjendja globale ka ndryshuar. Që prej marrjes së drejtimit të Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump nuk ka folur me tone pozitive për Gjermaninë, duke krijuar pasiguri në marrëdhëniet bilaterale.

Si rezultat i kësaj, nga fuqitë e mëdha Rusia gëzon 35% besueshmëri tek qytetarët gjermanë, Kina 28%dhe në fund SHBA me 24%. Këto rezultate duket se kanë ndikuar dhe te qeveria Merkel. Ministri i jashtëm gjerman, Heiko Maas bëri thirrje për rishqyrtim të marrëdhënieve me Uashingtonin.

“Ne besojmë me vendosmëri se është e nevojshme që Europianët të vendosin nëse ne do të jemi në gjendje të mbrojmë interesin dhe vlerat tona përballë Shteteve të bashkuara, Rusisë dhe Kinës në të ardhmen. Kjo do të jetë e mundur kur politika e jashtme e Bashkimit Europian të jetë unanime”, tha Heiko Maas, ministër i Jashtëm i Gjermanisë.

Përplasjet mes Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara ranë në sy edhe në konferencën e sigurisë në Mynih. Merkel u takua me nënpresidentin Majk Pence, dhe kritikoi politikat izoluese të administratës Trump. Kurse Pence i mbrojti ato duke thënë se Trump e ka bërë Amerikës sërish të fortë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN