Ish-ministri Ahmetaj propozon taksë për portalet

Parlamenti pritet të diskutojë këtë javë rritjen nw 6% të TVSH-së së reklamave për portalet, një nismë e ish-ministrit të Financave, aktualisht kryetarit të Komisionit parlamentar të Ekonomisë, Arben Ahmetaj. Drafti është dorëzuar në kuvend, në pritje të diskutimit në komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe atë të Ligjeve.

Një propozim që vjen vetëm pak muaj pas paketës fiskale 2019, të sjellë nga vetë Ahmetaj. Ajo që ish-ministri kërkon sot është që portalet të paguajnë TVSH 6% për reklamat e tyre, aq sa paguajnë edhe televizionet, çka sipas tij, do të mundësonte një trajtim të barabartë. Por ajo që projektligji nuk shpjegon është sesi do të veprohet për reklamat nga platformat ndërkombëtare, si Google apo Facebook.

Një tjetër problem është edhe ndryshimi i shpeshtë i ligjit të TVSH-së, që ka krijuar konfuzion te biznesi. Ndryshimet e shpeshta janë kritikuar edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, që ka kërkuar stabilitet të legjislacionit fiskal, pasi pasojat po i vuajnë sipërmarrja dhe administrata tatimore. Një fakt ky që ish ministri e di mirë, pasi shumë nga ndryshimet në ligjin e TVSH-së janë bërë në kohën, kur Ministrinë e Financave e drejtonte vetë ai.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN