Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

LSI mbështet PD, por nuk ka ende vendim zyrtar

Nga A2 CNN
18 Shkurt 2019, 13:27 | Politikë
LSI mbështet PD, por nuk ka ende vendim zyrtar

Ndonëse nuk ka një reagim zyrtar nga LSI, për propozimin e Bashës për të djegur mandatet, deputetë të ndryshëm të kësaj force politike kanë shprehur mbështetjen e tyre për këtë lëvizje ekstreme të miratuar në grupin parlamentar të Partisë Demokratike.

Edmond Haxhinasto, në një prononcim për A2 CNN, tha se vendimi nuk mund të jetë individual, pasi mandatet çdo deputet i ka në funksion të një partie politike. “Në kushtet kur Parlamenti ka humbur funksionin e tij normal, në kushtet kur politika ka arritur një polarizim të tmerrshëm, duke sjellë edhe përçarje shoqërore, me një miting në Tiranë dhe një në Vlorë, mendoj që duhet shkuar përsëri te sovrani që të vendosë ai se kush duhet të jetë përfaqësuesi i tij”, u shpreh ai.

Më herët deputetë të ndryshëm të LSI mbështetën idenë e djegies së mandateve përmes statuseve në rrjetet sociale. “Ç’vlerë ka mandati kur ai helmon popullin e tij”, shkruan në Facebook Floida Kërpaçi. Ndërsa Kejdi Mehmetaj dhe Indrit Brahimllari thonë se mandatet nuk janë të deputetëve por të qytetarëve.

Deputeti Edmond Panariti, kritikoi shumicën lidhur me qëndrimin se Parlamenti është i ligjshëm edhe pa opozitën. Duke e cilësuar këtë një arsyetim diktatorial, Panariti thotë se "të ligjshem ishin edhe Stalini, Enveri dhe Hitleri. Shtypën, vranë dhe prenë me ligj dhe në emër të tij. Madje ky i fundit e dogji fare Parlamentin. Jeni të "ligjshëm" sepse akoma se keni kuptuar apo nuk doni ta kuptoni, që jemi në shtetin e të drejtës dhe jo të ligji”.

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim do të mblidhet sot në orën 17:00 nga ku pritet të merret një vendim për djegien, apo jo, të mandateve.

A2 CNN Livestream

Dita jonë