PPP te “Ekonomia”, debate mes opozitës dhe mazhorancës

Ndryshimet ligjore që qeveria ka bërë në ligjin e PPP-ve kanë shkaktuar debat në komisionin e Ekonomisë. Ish ministri i Financave, Arben Ahmetaj dhe ministrja aktuale Anila Denaj kanë mbrojtur përmirësimet që i janë bërë ligjit, teksa kanë sulmuar edhe konçensionet e dhëna në kohën e ish qeverisë Berisha.

Ofertat e pakërkuara i kanë shkaktuar dëme të mëdha buxhetit të shtetit, duke rënduar mbi xhepat e qytetarëve dhe sipërmarrjes. Komisioni i Ekonomisë ka nisur shqyrtimin e draftit që parashikon eliminimin e këtyre ofertave dhe zëvendësimin e sistemit të bonusit me një mekanizëm kompensimi.

Ministrja e Financave Anila Denaj

Projektligji rrit gjithashtu kompetencat e Ministrisë së Financave në përzgjedhjen dhe oponencën e projekteve të propozuara, përmes ngritjes së Komitetit të përzgjedhjes së Projekteve.

Për ministren Anila Denaj,  “përfshirja e Ministrisë së Financave është dukshëm i shtuar për minimizuar rreziqet fiskale dhe buxhetore, dhe për të sjellë edhe kundërshtim aty ku duhet”.

Për Edmond Haxhinaston e LSI, “ky projektligj sjell vetëm një të re, sjell përqendrimin e kompetencave për dhënien e koncesioneve te Ministria e Financave, duke pasur përplasje serioze”.

Debati në komision u ndal edhe tek llogaritja e kostove të PPP-ve në borxhin publik. Sipas ish Ministrit, Arben Ahmetaj, FMN nuk ka kërkuar kurrë diçka të tillë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN