16 shtete në Amerikë, padi ndaj administratës së Trump

Një koalicion prej 16 shtetesh amerikane i kryesuar nga Kalifornia, ngritën padi ndaj administratës së Donald Trump lidhur me vendimin e tij për të shpallur gjendjen e emergjencës kombëtare.

Padia u depozitua në gjykatën për distriktin verior të Kalifornisë. Ky zhvillim vjen disa ditë pasi Trump shfrytëzoi autoritetin për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, në mënyrë që të anashkalonte kongresin dhe të siguronte fondet e nevojshme për financimin e murit kufitar me Meksikën. Demokratët janë zotuar se do të kundërshtojnë këtë akt me çdo mjet të mundshëm.

“Nuk do ta lejojmë presidentin të shkelë kushtetutën apo te vjedhë paratë e amerikanëve që janë miratuar në mënyrë të ligjshme nga kongresi. Do të sigurohemi që presidenti të mos vazhdojë të luajë këtë teatër e të abuzojë me detyrën thjesht për të përcjellë mesazhin se ai mund të mbajë premtimet”, u shpreh Xavier Becera, Prokuror i Përgjithshëm i Kalifornisë.

Padia e depozituar të martën kërkon një urdhër të përkohshëm që do të ndalojë Trump-in të veprojë, ndërsa në gjykata zhvillohet beteja gjyqësore. Trump e njoftoi planin e tij pasi kongresi refuzoi të financonte murin. Sfida e pari ligjore erdhi të premten, kur një grup aktivistësh ngritën padi në emër të mbrojtjes së natyrës dhe tre pronarëve teksan, të cilët thanë se muri mund të ndërtohet në tokën e tyre.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN