Ceremonia e çmimeve Oskar kushton 44 milionë dollarë

Ndërsa e gjithë bota e kinematografisë pret këtë fundjavë, mbrëmjen gala të  çmimeve Oskar në “Dolby Theatre” në Los Angelos, mediat i kushtojnë rëndësi kostove të një ceremonie kaq prestigjoze. 

Eventi është vërtet glamour, duke nisur nga tapeti i kuq, rrjedhimisht super i kushtueshëm. Sipas një raporti zyrtar të Wallet Hub, një websajti financiar me bazë në Uashington, kosto totale për organizimin e mbrëmjes së çmimeve Oskar kushton plot 44 milion dollarë, aq sa kushton një reaktor nuklear, rroga e lojtarit të NBA Stephen Curry për 4 vjet apo sa prodhimi i dhjetëra filmave, disa prej të cilëve garues për një çmim Oskar.

Një statujë kushton rreth 400 dollarë

 Por përse kushton kaq shumë? Për ta nisur, është tapeti i kuq, për 1553 metra katrorë, ku parakalojnë yjet e showbizit botëror dhe vetëm ai kushton 25 mijë dollar.

Organizimi total i parakalimit mbi tapetin e kuq, me ndriçimin dhe masat e sigurisë, kushton 10 milionë dollarë.  PR i mbrëmjes kushton 15 mijë dollarë,  reklama dhe promo televizive 1.5 milionë,  këshillimi 1 milionë,  Dvd dhe ekranet dixhitale 300 mijë,  shpenzimet për yjet që dorëzojnë çmimet 1 milionë, tapeti i kuq dhe ndriçimi 10 milionë,  festa pas ceremonisë 10 milionë.

Vetëm tapeti i kuq në ceremoninë Oskar kushton 25 mijë dollarë

Një statujë Oskar kushton 400 dollarë, e përbërë nga kallaji dhe e larë me ar. Dikur ajo prodhohej me një mbulesë bakri, nikel argjendi dhe mbi to, një shtresë ari prej 24 karatësh. Por më shumë sesa vlerën reale, statuja ka vlerë të paçmueshme për karrierën e atij që e fiton, pasi është një simbol ikonik i akademisë, për ata që cilësohen si më të mirët e vitit.

Janë 800 ekranet që vendosen në “Dolby Theatre” përgjatë ceremonisë, që së bashku me festën pas ceremonisë, kushtojnë gati 20 milionë dollarë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN