Djegia e mandateve? Gazetarët e gjykojnë si “akt i papritur dhe energjik, shkund elektoratin”

Që nga momenti kur kreu i PD-së Lulzim Basha deklaroi aktin e djegies së mandateve, i gjithë diskutimi i opinionit në vend është përqendruar në ketë akt të papritur dhe të paprecedente.

Pasditen e sotme ishte vetë Gramoz Ruçi, i cili njoftoi anulimin e seancës parlamentare së nesërme,  për t’i dhënë kohë opozitës për reflektim.  Për të diskutuar situatën politike të orëve të fundit ishin të pranishëm gazetarët  Aleksandër Çipa dhe Erl Murati.

Vendimi i Lulzim Bashës cilësohet nga Çipa si akt “shumë energjik i kryetarit të Partisë Demokratike,  një kapitull shtese për futjen e legjislativit shqiptar në krizë, padyshim dera e krizës politike tani është hapur”.

Erl Murati pajtohet, duke e cilësuar djegien ose dorëzimin e mandateve si “Akt i papritur, pas përshkallëzimit të protestës të së shtunës”,

Sipas Muratit, “ky akt kërcënues i opozitës nuk bëhet vetëm për të shkundur mazhorancën  dhe faktorin ndërkombëtar, por edhe elektoratin shqiptar, sepse është i lidhur me zgjedhjet e qershorit”, pra sipas tij “një mënyrë për të politizuar zgjedhjet administrative”.


Aleksandër Çipa dhe Erl Murati

Pyetjes a rrezikon gjithsesi tkurrjen opozita dhe veçanërisht Partia Demokratike, Çipa e mohon, madje mendon se vendimi “rikthen një gravitet në atë parti”, sipas tij  edhe me ndihmën  e lidershipit të vjetër:  “Ne e pamë protagonizmin që pati në protestën e së shtunës zoti Berisha”.

Cipa vazhdon duke analizuar se “rikthimi i konfliktit politik midis pozitës dhe opozitës do të politizojë shtetin, ose do ta paralizoj atë.  Çdo veprim që do të kryhet në harkun kohor të muajve në vazhdim jo vetëm do të paragjykohet, por do të shndërrohet në casus të polemikes konfliktuale mes palëve”.  

Murati shton se  “radikalizimi i situatës favorizon opozitën”.  Ai bën paralelizmin me çështjen e videos me protagonist Ilir Metën, që çoi në 21 janar. Për të sot video që ka protagonist  kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako, jo vetëm që nuk ka përfunduar në dorëheqje dhe nuk ka proces gjyqësor por “kryeministri thotë se Dako mund te kandidojë  edhe 500 herë” .

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN