Ndryshon matura, katër provime dhe më shumë pyetje në teste

Pas 13 vjetësh ndryshon matura shtetërore.  Këtë qershor, 36 mijë    maturantë do të japin më pak provime por  do të kenë më shumë pyetje në testet e katër lëndëve.

 Drejtoresha e shërbimeve arsimore Rezana Vrapi, tregon se si ka ndryshuar me kurikulën e re struktura e provimeve.

“Do të këtë më shumë pyetje për arsye se shtohen 10 pikë në test. Një pjesë e madhe të këtyre pikëve do të lidhen me pyetje me alternativa, që duan një kohë të shkurtër. Testi do të strukturohet  në nivele, është detyrimi ynë që të diferencojmë në mënyrë që nxënësi i 10-ës të marrë 10, dhe të tjerët atë që meritojnë”, thotë drejtoresha Vrapi.  

Rezana Vrapi

Testet sërish do të jenë të shkallëzuar sipas niveleve të maturantëve ndërsa do të kenë më shumë pyetje me alternativë. Këtë vit maturantët e  kanë bërë më herët zgjedhjen e lëndëve që i orientojnë drejt shkollave të larta.

Por sipas shifrave, pjesa me e madhe e maturanteve kanë zgjedhur degët e shkencave sociale, të ndjekur nga mjekësia dhe ekonomia.

“Numri më i madh e ka psikologjia dhe sociologjia, ku 10 mijë maturantë e kanë zgjedhur, më pas biologjia me 6 mijë maturantë, dhe ekonomia”, vijon Vrapi.

Krahas provimeve qershori i sivjetshëm  është dhe periudhë zgjedhjesh. Autoritetet arsimore thonë se votimet nuk do të cenojnë procesin. Provimi i fundit mbyllet  6 ditë para zgjedhjeve të 30 qershorit.