Ruçi anulon seancës e të enjtes: Vetëvrasja e opozitës i bën dëm vendit

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, njoftoi anulimin e seancës parlamentare të së enjtes, një vendim ky që vjen si pasojë e protestës së planifikuar nga opozita para godinës së Kuvendit. Ruçi i bëri thirrje deputetëve të opozitës që të tërhiqen nga vendimi për dorëzimin e mandateve dhe përpjekjeve për të marrë pushtetin në tavolinë, pasi një veprim i tillë dëmton Shqipërinë.

“Që negociatat të vihen në pikëpyetje nga brenda vendit, është e papranueshme”, tha Ruçi në një konferencë për shtyp. “Jam jashtëzakonisht i shqetësuar për këtë situatë. Nuk do doja kurrë që skenari i paralajmëruar nga opozita të bëhej. Një opozitë që vetëvritet politikisht, i bën vendit një dëm shumë të madh. Një skenar i tille, i padëgjuar, është “kamikazllëk”, qe hedh ne ere te zotet e punës, por që na dëmton edhe ne. Nuk është ky momenti të komentoj , por ultimatumet nuk janë demokratike. Pushteti nuk merret ne tavolinë”.

Ruçi vlerësoi qytetarët që protestuan paqësisht. “Janë për t’u përshëndetur ata qytetarë që protestuan për shqetësimet e tyre. Edhe ata punonjës të policisë që ishin në protestë”, tha ai.

“Jemi përballë një momenti acarimi politik, që i ka kushtuar shumë vendit. Pamjet e dhunshme në Kryeministri bënë xhiron e botës. Kush nuk na do të mirën si vend, fërkon duart. Kush na mbështet është ndjerë keq. Kush bën plane për të kaluar pushime, është stepur. Ato pamje nuk janë aspak inkurajuese”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN