Shërbimi spitalor nën hetim, në lupë dhe koncesionet

Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur për zgjatjen e periudhës nën hetim në tregun e shërbimeve spitalore. Ajo do të shtrihet tashmë në periudhën kohore nga 1 janari 2016 deri më 31 dhjetor 2018.

Në qendër të këtij hetimi janë koncesionet e qeverisë për Check-up-in, sterilizimin dhe dializën. Nën lupë do të vihen të gjitha spitalet universitare, rajonale e bashkiake, si dhe spitalet private. Konkurrenca do të marrë në analizë edhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe Fondin e Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor.

Autoriteti i Konkurrencës kërkon të përcaktojë nëse ka abuzime në këtë treg, përmes shërbimeve të ofruara, por edhe përmes pronësisë së aksioneve të disa spitaleve private. Hetimi ka nisur në fillim të tetorit të vitit të kaluar, ndërsa rezultatet e para priten brenda muajit mars.