Soreca te Basha: Presim që nesër të mos ketë dhunë

Pasi u takua me Kryeministrin Rama dy ditë më parë, ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca mbërriti sot në selinë e Partisë Demokratike ku zhvilloi një takim me kryetarin Lulzim Basha. Më parë në zyrën e Bashës ka qenë edhe ambasadorja gjermane Susanne Schütz.

Soreca diskutoi me Bashën mundësinë e tërheqjes së opozitës nga vendimi për djegien e mandateve, një lëvizje kjo që është kritikuar jo vetëm nga Bashkimi Europian, por edhe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Bashkimi Europian ka qenë shumë i qartë dhe ia kemi shpjeguar pozicionin tonë liderit të opozitës. Është e rëndësishme për të folur. Nesër është një ditë e rëndësishme. Nuk presim të ketë dhunë. Presim një proces demokratik për ta ndjekur ne vijim”, tha Soreca pas takimit me Bashën.

Vendimi përfundimtar për dorëzimin e mandateve pritet të merret sot në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike, ndërsa nga radhët e opozitës deri tani nga vendimi i përbashkët është tërhequr vetëm deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Lefter Koka.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN