Sulmet anti-semitiste, Parisi në këmbë: Mijëra vetë thonë “mjaft më”!

Parisienët dalin sërish në rrugë, por këtë herë jo më “Jelekët e verdhë”. Mijëra vetë protestuan kundër valës së sulmeve anti-semitiste që kulmoi me sloganet anti-hebraike dhe vandalizmin e dhjetëra varreve të hebrenjve.

Qytetarë dhe liderë politikë nga të gjitha palët, përfshirë ish-presidentët Francois Hollande dhe Nicolas Sarkozy u mblodhën në “Place de la République”, një simbol i kombit, për të kundërshtuar aktet anti-semtiste. Slogani i përbashkët ishte “Boll më”.

“Anti-semitizmi është një sulm kundër republikës dhe është shumë e rëndësishme që ne të qëndrojmë të bashkuar përballë këtij rreziku”, shprehet një prej protestueseve.

“Mendoj se aktet anti-semitiste janë në rritje. Ato ngjallin frikë dhe risjellin në mendje kujtime shumë të këqija. Duam t’i tregojmë brezit të ri se kjo nuk është rruga e duhur”, u shpreh Francois Hollande, ish-president.

Më herët gjatë ditës, presidenti Emanuel Macron zhvilloi homazhe në një prej 96 varreve të vandalizuara pranë qytetit të Strasburgut. Më pas, kreu i “Elize”-së vizitoi Memorialin Kombëtar të Holokaustit në Paris, i shoqëruar nga krerët e Senatit dhe Asamblesë Kombëtare.

Në France jeton komuniteti më i madh hebre në Europë, rreth 550 mijë vetë. Numri është dyfishuar që prej Luftës së Dytë Botërore, por antisemitizmi mbetet i theksuar. Mes incidenteve të ndodhura ditët e fundit, është ai ku disa “jalekverdhë” u filmuan duke fyer një shkrimtar të mirënjohur hebre dhe djalë i një të mbijetuari të Holokaustit.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN