Arsyet e djegies së mandateve, vendim “demokratik” apo një “udhë pa kthim”

Për situatën e paprecedent të krijuar ditët e fundit nga vendimi i opozitës për djegien e mandateve, për krizën politike, për bllokimin dhe nxjerrjen jashtë kontrollit të sistemit politik në vend, ishin të ftuar sot në “Debat” Ervin Bushati nga Partia Socialiste dhe Albana Vokshi nga Partia Demokratike.

Për Vokshin, Shqipëria “gjendet në një situatë emergjence totale”, ku nuk ka më ”asnjë shtyllë që të  mbajë shtetin”.

Sipas tashmë ish deputetes të Partisë Demokratike, Partia Demokratike është tashmë  “një udhë pa kthim për të rikthyer dinjitetin qytetareve, por edhe këto shtylla për të cilat kemi luftuar edhe 29 vite më parë”.

Sipas Bushatit, ndërkohë, ankesat dhe çështjet e pa zgjidhura të opozitës mundet dhe duhet të adresohen në Kuvend, dh ese me aktin e djegies së mandateve lideri i PD-së Basha i ka hyrë “një rruge pa kthim, i pambështetur edhe nga partnerët strategjik”.

 Por Bushati ka ende bindjen se djegia  e mandateve “nuk do të shkojë deri në fund”, dhe se opozita “do t’i thërrasë mendjes”, edhe pse Vokshi mohon diçka të tillë duke cilësuar aksionin si “ vendim unison, demokratik dhe e parashikuar nga Kushtetuta, sigurisht i skajshëm dhe që krijon një krizë politike”.

Në këtë pikë pajtohet edhe Bushati që saktëson faktin që “kemi të bëjmë me një krizë të politikës që po shndërrohet në problem për Shqipërinë”, nga momenti që ka dy deklarata të Departamentit të Shtetit në pak ditë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN