Opozita në protestë, telat me gjemba rrethojnë Parlamentin

Opozita del sot në protestën e 21 shkurtit, ndërsa deputetët e saj pasditen e djeshme dorëzuan mandatet.

Edhe pse Gramoz Ruçi njoftoi shtyrjen e seancës së Kuvendit, Policia ka marrë masat për të siguruar godinën duke e rrethuar atë me tela me gjemba gjatë orëve të mbrëmjes së të mërkurës.

Ndërkohë në një njoftimin e saj zyrtar, policia e shtetit shprehet se ka marrë të gjitha masat për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, si edhe paprekshmërinë e institucioneve gjatë kohës së zhvillimit të protestës. Nga ana tjetër policia paralajmëroi se në këtë tubim, do të jenë pjesëmarrës persona me natyrë kriminale.

Në njoftimin për shtyp, Policia e Shtetit saktëson se “Nga informacionet e mbledhura nga shërbimet përkatëse, ka të dhëna për nxitje të dhunës dhe organizime me natyrë kriminale. Synohet hyrja me forcë në sallën e Parlamentit, duke ushtruar dhunë mbi personelin që ka detyrimin ligjor të sigurojë mbrojtjen e institucionit themelor të demokracisë”.

Për të parandaluar çdo mundësi të tillë, Policia e Shtetit, u bën apel në radhë në radhë të parë organizatorëve që të distancohen hapur nga dhuna dhe të bëjnë thirrje për respektimin e ligjit nga çdo protestues. Gjithashtu, Policia siguron opinionin publik, se forcat e rendit dhe sigurisë janë të gatshme t’i përgjigjen me forcën e ligjit dhe në proporcionalitet të plotë, çdo veprimi të paligjshëm apo akti dhune.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN