Shkup, ndalohet ish-kryeparlamentari Veljanovski

Ish kryeparlamentari maqedonas Trajko Veljanovski dhe dy ish-anëtarë të qeverisë së Nikolla Gruevskit u ndaluan mbrëmjen e së mërkurës nga policia e Maqedonisë së Veriut. Ata dyshohen për përfshirje në organizimin e ngjarjeve të dhunshme në parlament në prill të 2017-tës. 3-ish zyrtarët u dërguan në gjykatën e shkallës së parë të Shkupit me urdhër të Prokurorisë për Krim të Organizuar.

Ndërkohë, disa media vendase që citojnë burime brenda prokurorisë pretendojnë se edhe për ish-kryeministrin Gruevski është lëshuar urdhër-arresti, po për këtë çështje. Ky i fundit ndodhet në Hungari, ku ka kërkuar azil, duke iu shmangur drejtësisë. Ndaj tij janë caktuar dy vjet burg nën akuzën e korrupsionit lidhur me një tender publik. Një prej dëshmitarëve në procesin gjyqësor, Aleksandar Vasilevski kishte pohuar se ishte pikërisht Gruevski organizator i ngjarjeve të dhunshme në parlament.