Spiropali: Opozita në krizë të thellë, dhuna vendim i lidershipit të vjetër

“Opozita ka dalë jashtë sistemit”. Është e bindur për ketë Ministrja  e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e ftuar në studio e A2 CNN.

Sipas Spiropalit, me vendimin e djegies së mandatit  opozita ”e ka bërë zgjedhjen e tyre duke dalë nga sistemi, janë dëmtuar rëndë në opinionin publik,  por kane dëmtuar imazhin e vendit në prag të negociatave për anëtarësim” , duke shtuar që ky është në fakt objektivi i tyre.

Ministrja e sapoemëruar jo vetëm mohon çdo mundësi për një reflektim të ekzekutivit drejt zgjedhjeve të parakohshme, por deklaron që “kemi numrat dhe do të qeverisim” sepse sipas saj “nuk do të shkatërrojmë sistemin sepse opozita ka një krize identitare të qartë”.

Problematikat e brendshme të opozitës Spiropali e shikon në prizmin e një “krize të thellë, edhe lidershipi, edhe në sondazhe”, ku sipas saj të dhënat kanë treguar se PD-ja nuk ka arritur të bind.

Sipas saj, qasja radikale e ditëve të fundit është pjesë e kësaj krize, dhe vula e vendimit të lidershipit të vjetër”, ku ish kryeministri Sali Berisha cilësohet si një njeri me “fuqi destruktive”, që kërkon të fitojë terren përmes dhunës të treguar ditën e së shtunës, që ajo cilëson si “protestë kastash”.

Dhe shton, “Basha ndoshta është ndryshe në këtë pikë, por është i detyruar”. Një detyrim që sipas saj përfshin edhe deputetët e tjerë të opozitës, që “nuk kanë qenë të lirë të firmosnin” djegien e mandateve.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN