Berisha-socialistëve: Të largojnë Ramën. Jemi në kushtet e grushtit të shtetit!

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka dhënë deklaratën e parë për mediat pas dorëzimit të mandatit të deputetit një ditë më parë në Kryesinë e Kuvendit.

Berisha foli pasi vizitoi një ekspozitë të piktorit Avni Delvina. Ai u bëri thirrje socialistëve të largojnë Edi Ramën.

“Çdo gjë ka një fund dhe ky fund është i afërt. Unë u bëj thirrje socialistëve. Në interesin më të mirë të tyre dhe të Shqipërisë, të largojnë me urgjencë Edi Ramën dhe klikën e tij nga pushteti. E them me bindjen më të thellë se urrejtja ndaj Ramës dhe regjimit të tij bëhet çdo ditë e më e pakufishme”, tha ndër të tjera Berisha.

Më tej, Berisha iu drejtua Kryeministrit Rama, duke i thënë të largohet sa më parë. “Edi Rama është kufomë politike, të largohet një minutë e më parë nga politika sepse do ta largojnë në mënyrë të paimagjinueshme. Ka 6 vjet që po poshtëron çdo ditë shqiptarët dhe shet gënjeshtra nga mëngjesi deri në darkë. Tani, ik dhe vetëm ik!”, tha Berisha.

Berisha u pyet nëse do të futet opozita në zgjedhjet vendore të qershorit: “Opozita po bën përgatitje të ethshme për zgjedhjet, por zgjedhje më Edi Ramën nuk do të ketë më”.

Ish-Kryeministri foli edhe për mosbindje civile, madje dhe për grusht shteti. “Mosbindja civile vlon në shpirtin e çdo qytetari. Nuk kam nevojë të ndërhyj unë. Po shkohet në mosbindje civile. Jemi në kushtet e grushtit të mirëfilltë të shtetit”, tha Berisha, duke e mbyllur fjalën e tij me thirrje për socialistët që të largojnë Ramën.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN