Akuzohet për abuzime seksuale me të mitura, R Kelly mbetet në burg

Dikur këndonte “I Believe i Can Fly”, por sot R Kelly nuk do të mund të fluturojë më, pasi një Gjykatës në SHBA vendosi që t’i sekuestrojë pasaportën, si dhe pagesën e 1 milionë dollarëve si shumë për të dalë nga paraburgimi.

Mbi yllin e muzikës R&B rëndojnë 10 akuza për ngacmime seksuale, pasi lakohej prej dekadash për vepra të tilla, gjithmonë duke i mohuar ato dhe duke i shpëtuar dënimit.

Të premten, këngëtari, emri i të cilit është Robert Sylverster Kelly, u dorëzua vetë në policinë e Çikagos pasi ndaj tij u lëshua një urdhër arresti. Në 9 prej 10 akuzave janë të përfshira vajza të mitura, çka e bën edhe më të rëndë rastin e tij.

52-vjeçari doli para Gjykatës vetëm disa javë pas transmetimit të një serie dokumentarësh të titullar “T’i mbijetosh R Kelly-t”. Në të tregoheshin akuza të shumta që ishin bërë kundrejt tij përgjatë viteve nga femra të ndryshme, mes tyre edhe ish-bashkëshortja.

Prokurorët thonë se abuzimet seksuale kanë ndodhur në periudhën 1998-2010 ndërsa në dokumentet zyrtare dorëzuara në Gjykatë shkruhet se tre prej viktimave ishin të moshës 13-16 vjeç. Nëse shpallet fajtor, ai rrezikon të dënohet me 7 vjet burg për secilën akuzë.

Avokati i tij mësohet se ka kërkuar që Gjykata të ulë shumën e lirimit, pasi financat e këngëtarit nuk janë edhe aq të mira që kur Shtëpia Diskografike me të cilën bashkëpunonte shkëputi marrëdhëniet, ndërsa i është refuzuar diskutimi me prokurorët para nisjes së seancave. Ai pretendon se akuzat janë të pabazuara.