Era “bën namin” në Vaun e Dejës, prishen çati shtëpish, shkolla e ura

Era e forta që ka pushtuar vendin ditën e sotme ka shkaktuar probleme dhe dëme të shumta në Vaun e Dejës.

Mësohet se janë shkatërruar pjesërisht çati banesash apo magazinash të ndërtuara me konstruksion llamarine. Gjithashtu, ka probleme te furnizimit me energji elektrike në shumë zona.

Në Njësinë Administrative Mnele, në qendrën shëndetësore dhe në shkollë janë zbuluar çatitë. Ura që lidh fshatin Mnele me Vigun, e quajtur “Ura e Gjinajve”, është e pakalueshme. Po ashtu, edhe në banesat e banorëve ka zbulime të çative.

Në Njësinë Administrative Hajmel rrjeti i energjisë elektrike është jashtë funksionit pasi ka shtylla të rrëzuara dhe tela të këputur.

Në Njësinë Administrative Bushat, dëmet janë tepër të larta konkretisht në fshatin Kosmaç ku pothuajse të gjitha serat që ndodhen në këtë fshat janë të dëmtuara. Fatmirësisht, deri tani, nuk ka persona të lënduar.

Këshillohet që të bëhet kujdes nga drejtuesit e automjeteve pasi si pasojë e motit të keq janë krijuar probleme në qarkullimin e automjeteve.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN