Të dehur në urgjencë, godasin mjekun

Dy persona në gjendje të dehur dyshohet se kanë goditur mjekun e turnit në Urgjencën e Durrësit. Sipas njoftimit të policisë, shtetasit E.SH., 33 vjeç dhe M.B., 38 vjeç, të dy banues në Durrës, kanë shkuar të dehur në ambientet e urgjencës ku mendohet se janë konfliktuar me mjekun, emri i të cilit nuk bëhet i ditur. Të dy janë shoqëruar nga policia dhe po merren në pyetje për të zbardhur ngjarjen.

Ky është rasti i dytë i dhunës ndaj uniformave të bardha që është raportuar brenda shkurtit. Në fillim të muajit, një person goditi me grusht një mjek në spitalin infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Një ditë më pas, mjekët e infektivit organizuan edhe një protestë për këtë, ndërsa morën edhe mbështetje nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastriliu, e cila deklaroi që ka propozuar një ndryshim në kodin penal, për të ngritur në nivel të veprës penale kanosjen e personelit mjekësor, si dhe një “rishikim të trajtimit të gabimit mjekësor”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN