40 vjet gabimisht në burg, dëmshpërblet me 21 milionë $

Një burrë në Kaliforni do të dëmshpërblehet me 21 milionë dollarë pasi ka kaluar thuajse 40 vjet prapa hekurave, i dënuar gabimisht për vrasjen e të dashurës dhe djalit të saj 4-vjeçar.

Craig Richard Coley, i cili u lirua nga burgu në nëntor 2017, kur ishte 70 vjeç, pranoi të shtunën të merrte shumën e majme si kompensim për dënimin e padrejtë që kishte kryer. Ai ishte dënuar për vrasjen e të dashurës 24-vjeçare Rhonda Wicht dhe djalit të saj Donald, në vitin 1978. Fajësia e tij u anulua për shkak të përdorimit të analizave të ADN-së.

Viktimat: Rhonda Wicht dhe djali i saj Donald

Policia arrestoi Coleyn në të njëjtën ditë që gjeti trupat e pajetë pasi mësoi se çifti ishte ndarë një ditë më përpara. Ai u shpall fajtor nga juria dhe për katër dekada qëndroi në qeli edhe pse nuk e pranoi kurrë se kishte kryer krimin.

Vite më vonë ai bëri një kërkesë për lirim me kusht, duke pretenduar se hetuesi i çështjes kishte shkatërruar dëshmi vendimtare që kishin sjellë dënimin e tij. Në vitin 2016, hetimi u rihap dhe falë përdorimit të analizave moderne, ADN-ja e Coleyt nuk u gjet në provat kyçe që ishin përdorur për ta dënuar, pasi i përkiste një personi tjetër. Në total ai ka kaluar në burg 13 991 ditë për një krim që nuk e kishte kryer.

Coley në qeli (m) dhe në ditën e arrestimit (d)

Autoritetet vendore në qytezën Simi Valley thanë se nga e gjithë shuma e kompensimit, Coley do të merrte vetëm 4,9 milionë dollarë para në dorë, ndërsa pjesa tjetër do të shlyhej në mënyra të tjera.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN