Lënia e mandateve, shpjegimi i Ramës, jo si i ndërkombëtarëve

Kur i duhet t’i bëjnë presion opozitës në Shqipëri, ndërkombëtarët nuk shfaqin ndonjëherë komplekse. Mesazhet mund t’i kenë këshilluese ndonjëherë, herë tjetër kundërshtuese, por ka raste edhe kërcënuese.

Ndaj, ashtu siç pritej, reagimet qenë të forta kundër Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilat morën vendim ekstrem të lënies së mandateve.

I drejtpërdrejtë qe amerikani Matthew Palmer kur telefonoi Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin për t’i kërkuar të tërhiqeshin nga dorëzimi i mandateve, sepse “kjo do të dëmtonte përpjekjet për reforma dhe do të dëmtonte një institucion të rëndësishëm të demokracisë”. Madje më herët, Ambasada Amerikane i nxiti deputetët e opozitës të dilnin kundër propozimit të Lulzim Bashës dhe të refuzonin thirrjet për të braktisur mandatet.

Luigi Soreca takoi personalisht Lulzim Bashën dhe kur kjo nuk mjaftoi, hynë në lojë Federica Mogherini dhe Johannes Hahn. Ngarkesa negative që i dhanë dy zyrtarët e lartë të Bashkimit Europian vendimit të opozitës, kur folën për dëmtimin e integrimit, i rënduan akoma më shume pozitat e partive të Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit.

Lënia e mandateve u dënua edhe nga Këshilli i Europës, nga OSBE, nga ambasada gjermane, ajo franceze dhe nga kancelaritë e vendeve përtej Adriatikut. Por ajo qe ra në sy ishte fakti se asnjë prej ndërkombëtarëve nuk foli për Reformën në Drejtësi.

Sepse ky është shpjegimi që Kryeministri Rama i jep vendimit ekstrem që mori opozita. Sipas Ramës, ajo që e detyroi opozitën të dalë në rrugë nuk është bashkëpunimi i Vangjush Dakos me trafikantë droge për të fituar zgjedhjet, as shitblerja e votave në Lezhë dhe Dibër dhe as ngrirja e dosjes 339 në Prokurori, por frika nga drejtësia e re.

Në fakt kjo frikë e politikanëve nga drejtësia e re ka qenë refreni i preferuar i ndërkombëtarëve vitet e fundit. Por, si amerikanët edhe europianët, nuk e kanë përfshirë në asnjë nga deklaratat e tyre zyrtare, që opozitën shqiptare nuk e kursejnë në asnjë rresht.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN