Dorëzimi i mandateve, a mund të radikalizohet më tej aksioni i opozitës?

Kur Basha dhe Kryemadhi dorëzuan mandatet e deputetëve, në Kryesinë e Kuvendit u duk se me këtë lëvizje ekstreme, opozita i shkoi deri në fund presionit mbi Edi Ramën.

Tani e tutje, në Parlament Rama do të ketë përballë ose karriget bosh të opozitës, ose deputetë që e duartrokasin pavarësisht fjalimeve që thotë dhe pavarësisht mesazheve që shpërndan.

Ky ishte dhe qëllimi i opozitës: t’i heqë Ramës fasadën e një opozite që vepron në një demokraci funksionale. Por në anën tjetër, Kryeministri Rama, deri tani nuk ka dhënë shenja reflektimi. Vërtet ai u shpreh i gatshëm të ulet për të biseduar me Lulzim Bashën, por u kujdes të theksojë se zgjedhjet do të jenë në 2021-in, ndërsa nuk e përmendi në asnjë rast opsionin e dorëheqjes.

A mundet opozita të radikalizojë akoma më tej pozicionin e saj? Duket se po. Këtë paradite, Lulzim Basha pati një takim me disa prej aleatëve opozitarë dhe aty është folur tërheqja e përfaqësuesve nga këshillat bashkiake.

Lëvizja duket pa shumë efekt pak muaj para zgjedhjeve lokale, por pikërisht në këtë moment, ajo mund të interpretohet edhe si një paralajmërim për një bojkot të mundshëm të zgjedhjeve të 30 qershorit.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN