PE: Viti 2019, vendimtar për të ardhmen e Shqipërisë

Një delegacion nga Parlamenti Europian do të vizitojë Tiranën këtë javë, për të vlerësuar përparimet e bëra nga vendi në drejtim të reformave që kanë lidhje me integrimin europian. Kur duhen edhe katër muaj për marrjen e vendimit për çeljen e negociatave për anëtarësim, delegacioni me 7 eurodeputetë të Komisionit të Punëve të Jashtme, do të vizitojë gjithashtu edhe Maqedoninë e Veriut.

Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Parlamentit Europian, ata do të takohen me krerët e shtetit, por edhe me përfaqësues të opozitës dhe të shoqërisë civile, për të vlerësuar çështjet e ngritura nga Parlamenti Europian në një rezolutë që miratoi në nëntor 2018 për Ballkanin Perëndimor.

Para nisjes së vizitës, kreu i delegacionit, Tunne Kelam, tha: “2019 është një vit thelbësor që do t’i japë formë të ardhmes afat-gjatë të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Mirëpresim përparimet e bëra deri tani dhe i nxisim me forcë të gjitha palët politike që të bashkëpunojnë në mënyrë që të vënë në zbatim të gjitha reformat që nevojiten pa shtyrje të mëtejshme. Nuk ka kohë për të humbur deri në mbledhjen e Këshillit Europian në qershor, ku do të merret edhe vendimi nëse këto shtete janë gati për hapjen e negociatave për anëtarësim”.

Duke u ndalur te zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, Kelam, i cili vjen nga radhët e Partive Popullore, ku bën pjesë edhe Partia Demokratike, tha: “Dënojmë me forcë të gjithë retorikën politike që nxit dhunë dhe nxisim opozitën që të angazhohet përsëri në procesin demokratik parlamentar. Qeveria dhe opozita duhet me urgjencë të ulin tensionet përmes diskutimeve konstruktive”.

Më 28 shkurt, delegacioni i Parlamentit Europian do të mbajë edhe një konferencë për shtyp, pas takimeve të programuara.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN