Përplasjet për Brexit, Tusk: Të shtyhet data e largimit ose do të ketë kaos

Ishte samiti mes Ligës së Shteteve Arabe dhe Bashkimit Europian, por vëmendjen më të madhe e mori Brexit.

Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May duke folur nga Egjipti kundërshtoi kërkesën e Bashkimit Europian dhe një grupi deputetësh konservatorë për të shtyrë datën e largimit zyrtar. Sipas saj, kjo nuk e zgjidh problemin.

“Besoj se është brenda mundësive tona që të largohemi me një ujdi me 29 mars dhe mendoj se aty duhet të fokusohen të gjitha energjitë tona. Shtyrja është shtyrje, nuk e adreson apo zgjidh çështjen. Mendoj se kemi një mundësi për tu larguar me një marrëveshje me 29 mars dhe për atë do të punojmë”, tha May.

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, kritikoi qëndrimin e May-t dhe e konsideron shtyrjen si zgjidhjen e duhur dhe të pashmangshme.

“Për mua është shumë e qartë se nuk ka mozhorancë në Dhomën e Komunëve për të miratuar marrëveshjen. Ne do të përballemi me një Brexit alternativ kaotik ose me një shtyrje. Ka shumë pak kohë deri më 29 mars, gjasat për një shtyrje janë të mëdha dhe ky është një fakt objektiv. Nuk është plani apo qëllimi ynë por një plan objektiv”, u shpreh Tusk.

Ndërkaq, May njoftoi se parlamentarët do të votojnë ujdinë e saj me 12 Mars dhe se çdo gjë do të vijojë siç ishte planifikuar. Ligjvënësit kërkuan një datë më të afërt për kalimin e marrëveshjes, por kryeministrja refuzoi.

Për këtë tërhoqi kritikat e liderit të opozitës laburiste, Xheremi Korbin, i cili sugjeroi se kryeministrja po e zvarriste çështjen qëllimisht, në mënyrë që deputetët të detyrohen të zgjedhin mes ujdisë së saj të keqe dhe një dalje katastrofike pa ujdi nga BE.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN