Pranohet kërkesa e Balilit për gjykim të shkurtuar, ulet 1/3 e dënimit

I shoqëruar vetëm nga një punonjës policie nga kafazi i xhamit, Kelmend Balili ka pritur i qetë dhe i buzëqeshur vendimin e gjykatës.

Flora Hajredinaj dhe dy gjyqtarë të tjerë, Liliana Baku dhe Ardit Mustafai, shpallën si të ligjshme kërkesës për gjykim të shkurtuar ndaj Kelmend Balilit, duke pranuar kështu aktet e dosjes voluminoze në gjendjen që janë dhe duke i dhënë fund shqyrtimit gjyqësorë.

Pa debat juridik, në mungesë të theksuar të provave nga ana e akuzës, Kelmend Balili pritet të dënohet për 4 vepra penale, pa dëshmitarë dhe me prova të ardhura nga jashtë.

Më datën 12 mars pritet që prokurori Ened Nakuçi të japë konkluzionet e Prokurorisë. Në dosjen e prokurorisë thuhet se nga informacioni i policisë, rezultonte se nga fundi i muajit maj 2015 shërbimet ligjzbatuese greke dhe DEA në Athinë kanë qenë duke hetuar në lidhje me një organizatë kriminale për trafikimin e lëndëve narkotike e përbërë nga shtetas grekë, shqiptarë dhe nga vendet e Evropës Qendrore.

Kjo organizatë kriminale merrej me trafikimin e lëndëve narkotike të llojit kokainë dhe kanabis sativa, duke përdorur për transport kamionë që janë të regjistruar në vende të ndryshme të Evropës, në pronësi të kompanive që zotërohen nga shtetas grekë dhe përdorin si përfaqësues të këtyre firmave njerëz të ndryshëm.

Mbi Balilin rëndojnë 4 akuza: Trafikim i lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal; Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal; Refuzim për deklarim dhe mosdeklarim, fshehje ose deklarim të rremë të pasurisë; Pastrim të produkteve të veprimtarisë kriminale. Balili nuk i ka pranuar akuzat, ndërsa pas rreth dy vjetësh në kërkim, ai u vetëdorëzua në momentin kur dosja shkoi për gjykim.

Ai u vetëdorëzua në polici më 17 janar, pas shpalljes në kërkim në maj të vitit 2016. Gjatë kësaj kohe, policia dështoi të paktën 14 herë për arrestimin e tij.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN