Rama, mesazh deputetëve socialistë: Jo debate e replika me “kolegët e arratisur”

Kryeministri Rama mësohet se u ka dërguar një mesazh mbrëmjen e së hënës deputetëve socialistë duke iu kërkuar atyre të shmangin debatet, por edhe replikat në distancë me kolegët e arratisur, siç i ka quajtur ai deputetët tashmë të dorëhequr të opozitës.

“Në vijim të komunikimit për refuzimin e daljeve me kolegët tanë të arratisur, në debate shterpë të cilat përveçse harxhojnë kot kohën e publikut, derdhin baltë e helm në tryezat e shqiptarëve, më duhet të shtoj se nuk do të replikojmë më në distancë me deklarata e përgënjeshtrime ndaj akuzave e shpifjeve të tyre të pafundme.

E gjithë vëmendja jonë do të jetë tek njerëzit e zakonshëm pa dallim dhe komunikimi ynë do të jetë për ta e me ta. Natyrisht nuk do t’i kursejmë as arratiakët në komunikimet tona, por vetëm kur kjo i duhet komunikimit me qytetarët. Le të merren kadrinjtë e kazanët me dokrrat e dëshpërimit të tyre dhe le të vlojnë së bashku në zjarrin e mandateve të tradhtuara! Koka bën koka pëson, megjithëse në rastin e tyre koka e bën dhe trupi si gjithnjë e pëson”, mësohet t’i ketë shkruar Rama deputetëve të mazhorancës.

Më herët, Lulzim Basha u shpreh pas takimit me krerët demokrat në rrethe se po përgatitet arrestimi i kreut të bashkisë Durrës, Vangjush Dako, për të hequr vëmendjen e situatës politike në vend.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN