Shkarkimi i Arta Markut, kërkesa e opozitës i kalon Kolegjit të Apelimit

Pasi shpalli moskompetencën për kërkesën e opozitës për shkarkimin e Arta Markut, KLP ja delegon kërkesën Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, u ka kthyer përgjigje krerëve të grupeve parlamentarë të LSI-së dhe PD-së, ku shprehet se kompetencën për të nisur hetim disiplinor ndaj prokurorit të përgjithshëm e ka Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, por për sa kohë ky institucion ende nuk është krijuar, si pjesë e reformës në drejtësi, kreu i KLP-së, thotë se ligji nuk parashikon se cili institucion do ta ushtrojë kompetencën.

Në këto kushte, momentalisht kompetenca për kërkesën e PD-së dhe LSI-së për shkarkimin e Markut, do t’i kalojë Kolegjit të Apelimit, derisa të mbarojë mandati i këtij institucioni. Kolegji i Apelimit, ka funksion të përkohshëm deri sa të mbarojë procesi i vetting-ut të prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Shkarkimi i Markut u kërkua nga opozita, pasi sipas tyre ajo e emëroi anëtar të KLP, Bujar Sheshin pa verifikuar figurën dhe integritetin e tij. Sheshi vijon të jetë ende anëtar i KLP-së dhe akoma nuk është marrë vendim për të.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN