Basha: Mosbindje civile nga jugu në veri

20:08 – Protesta e opozitës u mbyll në selinë e Partisë Demokratike, atje ku Lulzim Basha mbajti fjalën e fundit të kësaj proteste.

Basha bëri deklarata të forta, duke thënë se tashmë nuk njeh jo vetëm kuvendin, por edhe policinë e krimit, siç ai e quajti. Basha foli edhe për mosbindjecivile.

“Jeni ngritur për të mos u ulur më deri në fitoren totale të lirisë së demokracisë. Si minjtë u mblodhën sot, duke shpresuar se do t’ia hidhnin popullit. Ju falenderoj nga zemra qindra dhe mijëra shqiptarë që u mblodhën brenda pak orëve.

Ne nuk e njohim më jo vetëm Kuvendin, por edhe policinë e krimit. Mosbindja civile do të shtrihet nga jugu në veri”, tha Basha.

20:00 – OSBE ka reaguar për protestën e opozitës ditën e sotme te Parlamenti, duke thënë në një deklaratë se dhuna nuk është përgjigjja për problemet e Shqipërisë.

“Dhuna nuk është përgjigjja për problemet e Shqipërisë. Ne e dënojmë sërish nxitjen politike të dhunës dhe bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje dhe përgjegjësi. Të protestuarit është një akt demokratik, por djegia e gomave, përdorimi i shashkave dhe çarja e kordonëve të policisë për të sulmuar një institucion publik, dhe veçanërisht zemrën e demokracisë, nuk janë të tillë. Po ashtu, e nxisim policinë të reagojë në mënyrë përpjestimore. Ne po e monitorojmë situatën me shqetësim. Përgëzojmë mediat për shërbimin e madh që po i bëjnë demokracisë përmes raportimeve të drejtpërdrejta”, thuhet në deklaratën e OSBE.

19:50 – Mbyllet seanca në Kuvend, protestuesit qëndrojnë jashtë godinës

19:25 – Basha-Ramës: Me këto akte i shpalle luftë qytetarëve

Ndërsa vijon seanca brenda sallës së Kuvendit, Basha mbajti një fjalim duke iu drejtuar kryeministrit se, sipas tij, me aktet e sotme i ka shpallur luftë qytetarëve.

“Edi Rama, sot, i ka shpallur luftë qytetarëve të vetë. Ne emër të opozitës, i them Ramës që me këtë akt shpalle lufte, koston do ta kesh 100% ti. Ne nuk frikësohemi, sepse luftojmë për fëmijët e shqiptarëve, luftojmë për zgjedhje të lira e të ndershme dhe përballë kemi një shtet që nuk është më i shqiptarëve. Ky vend ka dy rrugë, të pranojë skllavërinë me kokën e Maduros së Ballkanit ose të ngrihet në këmbë dhe të marrë në dorë fatin tonë dhe të atdheut tonë. Beteja që ka nisur është pa kthim”, tha Lulzim Basha.

19:05 – Vijon situata e tensionuar te Parlamenti. Protestuesit qëndrojnë të grumbulluar pranë Parlamentit, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës pasi protestuesit tentuan të futen brenda godinës. Ndërkohë, brenda sallës vijon seanca plenare.

18:25 – Tensionohet sërish protesta, pasi një grup njerëzit janë konfrontuar me kordonin e Policisë që është vendosur në hyrje të Kuvendit., Mes tyre janë edhe deputetë të Partisë Demokratike si Flamur Noka dhe Klevis Balliu.

18:15 – Brenda sallës së Kuvendit vazhdon seanca plenare, e cila ka nisur në orën 17:00, ndërsa jashtë saj vijon protesta e opozitës. Situata duket se është qetësuar pas momenteve kur protestuesit dogjën goma pranë Parlamentit.

17:30 – Është tensionuar edhe më shumë situata në protestën e opozitës para Parlamentit. Përveç shashkave dhe tymueseve, protestuesit i kanë vënë flakën një gome makine në hyrje të kuvendit. Forcat e ndërhyrjes së shpejtë janë afruar në gardhin rrethues dhe kanë dalë në rresht të parë, për të shmangur përshkallëzimin e situatës.

17:18 – Pas Bashës, foli edhe Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi: “Misioni i politikës është që të largojë këtë fenomen vrasës të shqiptarëve dhe ky fenomen e ka emrin “Edi Rama”. Ne zgjodhën të jemi si ju dhe sot Edi Rama është vetëm. Pjesën më të madhe të deputetëve e ka kundër.

17:08 – Basha u bëri thirrje edhe policisë, duke iu thënë të heqin kapelet e të arrestojnë hajdutët. “Banda e hajdutëve edhe sot e bëri aktin e saj tinëzar dhe të paligjshëm. Prapa asaj godine nuk është më Kuvendi i Shqipërisë, por banda e krimit dhe e hajdutëve që ka marrë peng Shqipërinë. Ata që kalojnë ligje antikushtetuese për të vjedhur milionat nga populli më i varfër i Europës, i dhanë Shqipërisë Maduron e Ballkanit”, tha Basha.

17:05 – Në fjalën përballë protestuesve, Kryetari i PD, Basha, tha se asnjëherë nuk është mbledhur një numër kaq i madh qytetarësh brenda kaq pak orësh. Ai tha se qeveria edhe sot bëri një akt tinëzar me mbajtjen e seancës.

“Banda e hajdutëve edhe sot e bëri aktin e saj tinëzar dhe të paligjshëm. Prapa asaj godine nuk është më Kuvendi i Shqipërisë, por banda e krimit dhe e hajdutëve që ka marrë peng Shqipërinë. Ata që kalojnë ligje antikushtetuese për të vjedhur milionat nga populli më i varfër i Europës, i dhanë Shqipërisë Maduron e Ballkanit”, tha Basha.

16:55 – Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në shoqërinë e ish-deputetëve të tjerë janë nisur nga selia e PD për t’u bashkuar me protestuesit.

16:45 – Deputetët e shumicës kanë zgjedhur të hynë në godinën e Kuvendit nga hyrja anësore, për të shmangur protestuesit. Por kjo ka qenë e mundur pasi disa prej tyre kanë hedhur shashka ndërsa në drejtim të deputetëve, ndërsa forcat e ndërhyrjes së shpejtë janë përqendruar në këtë zonë për shmangur përshkallëzimin e situatës.

Disa prej protestuesve kanë shtyrë ministrin Blendi Klosin ndërsa ai po kalonte pranë Pedonales, por pas ndërhyrjes të pjesëtarëve të Gardës dhe Policisë, ai ka mundur të futet në rrethimin e Parlamentit nga hyrja anësore.

16:30 – Disa qindra vetë janë mbledhur para godinës së Parlamentit të thërritur nga opozita në protestë vetëm pak orë më parë, kur kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi njoftoi për një seancë plenare, ku do të miratohen disa ligje që kanë të bëjnë me organet e reja të drejtësisë si Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Kryeministri Edi Rama nuk do të jetë i pranishëm në seancë pasi ndodhet në Lushnje në kuadër të turit “Bashkia që Duam”, ndërsa mësohet se do të mungojë edhe zëvendëskryeministri Erion Braçe.

Gazetari i A2 CNN, Jul Kasapi, raporton se për momentin Parlamenti është rrethuar vetëm nga një kordon me oficerë të Policisë së Shtetit, ndërsa Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë qëndrojnë pranë zonës ku po ndërtohet Xhamia e Namazgjasë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN