Djegia e mandateve, reagon me shqetësim edhe Këshilli i Evropës

Bashkë-raportuesit për monitorimin e Shqipërisë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, Andrej Hunko dhe Xhozef Orajlli, kanë shprehur shqetësimin për dorëheqjen e deputetëve të opozitës nga mandatet e tyre parlamentare.

Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Europës, raportuesit janë shprehur se “në një shoqëri demokratike, parlamenti është qendra e debatit politik, dialogut dhe diskutimit. Parlamentarët i përkasin parlamentit! “.

Po ashtu, duke përshëndetur faktin se protestat e kohëve të fundit janë zhvilluar në një mënyrë paqësore, ata i kërkojnë deputetëve të opozitës të rishikojnë dorëheqjet e tyre dhe t’i kthehen parlamentit.

Këshilli i Evropës i bën thirrje shumicës që të sigurojë një hapësirë të përshtatshme që opozita të funksionojë dhe të angazhohet në një dialog të sinqertë dhe domethënës mbi reformat kyçe dhe qeverisjen e vendit.

“Të dyja palët duhet të përdorin forumin e parlamentit për t’u angazhuar, në mirëbesim, në një dialog të tillë në mënyrë që të kapërcehet ngërçi politik. Nëse kërkohet, ne jemi të gatshëm për të ndihmuar kolegët tanë nga të dyja palët në këtë përpjekje“, përfundon deklarata.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN