Duka: Po paguajmë haraçin e marrëdhënies së politikës me krimin, ka nisur herët

Për Agron Dukën, kryetarin e Partisë Agrare Ambientaliste, situata aktuale në vend ka ardhur si pasojë e marrëdhënies së politikës me krimin dhe sipas tij, kjo është bërë nga të dyja palët.

Në “I Ftuari” të Endri Xhafos në A2 CNN, ai u shpreh se ky pushtet nuk do të vazhdojë nëse nuk bën ndarjen nga krimi.

“Sot Shqipëria po paguan haraçin e marrëdhënieve që pati politika me njerëzit me rekorde kriminale dhe me kriminelët. Kjo nuk erdhi si pasojë e një krahu politik, por nga të gjitha krahët. Është parë që pa përkrahjen e kriminelëve nuk mund të fitohej në zona të veçanta. U pa që këtë njerëz janë të rëndësishëm dhe politika i dha vende të rëndësishme dhe ia kompensoi, më vonë ky që erdhi sot në pushtet iu duk e vështirë për të ardhur në pushtet dhe e arriti atë që mendoi. Madje, i lejoi të kandidojnë edhe si kryetarë bashkie. Ata donin ta merrnin vesh nga publiku që janë njerëz me pushtet. Për këto arsye shpërtheu situata e sotme, në njëfarë mënyre kjo do të vinte. Kam shumë frikë që nuk mund të vazhdojë ky lloj pushteti nëse nuk bën një ndarje radikale me krimin”, u shpreh Agron Duka.