Samiti i Diasporës, zv.ministri Xhafaj: Shqiptarët jashtë vendit të kenë një rol proaktiv

Zëvendës ministri i Jashtëm Etien Xhafaj ishte i ftuar në studiot e A2 për të prezantuar iniciativën e Samitit të Diasporës, që do të zhvillohet nga data 28 shkurt deri më 2 mars.

Sipas Xhafajt, shumë zhvillime pozitive kanë ndodhur nga koha e edicionit të parë, të zhvilluar dy vitë parë. Ndërkohë që samiti i parë ka qenë një takim fillestar që ka shërbyer më shumë për t’u njohur, edicioni i radhës e sheh çështjen e diasporës si më të strukturuar.  

“Sot kemi një Ministër të Diasporës, tre agjenci si Fondi dhe Agjencia e Diasporës, ashtu si Qendra e Publikimeve, të cilat janë krijuar për të mbështetur bashkëpunimin. Ka tashmë një strategji dhe një plan veprimi për Diasporën”.

Gjithsesi zëvendës ministri thotë që Strategjia Kombëtare për bashkëpunim dhe bashkëveprim për Diasporën duhet riparë për t’u përballur me realitet e reja të këtij bashkëpunimi, “prandaj Kryeministri i ka kërkuar diasporës një rol proaktiv. Pra në samit do të jetë Qeveria dhe institucionet që do të dëgjojnë diasporën dhe reflektojnë për propozimet”.  

Sipas, Xhafajt, pika kulmore e samitit do të jetë 1 marsi, ku  4 çështje  kryesore të diasporës  do të ndahen në panele, që do të drejtohen nga një ministër përgjegjës.

“Paneli i parë do të fokusohet tek  e drejta e votës, e dyta mbi zhvillimin ekonomik dhe remitancat, e treta për zhvillimin  e turizmit dhe agroturizmin, dhe e fundit do të mbulojë pjesën kulturore dhe të traditave”, shpjegoi Xhafaj.

Sipas tij, pritja e diasporës për samitin ka qenë shumë e mirë, dhe pikërisht fokusi do të jetë në ato që ai quan “ambasadorët natyral të Shqipërisë”, pra kushdo që përfaqëson denjësisht vendin në botë.

Një nga iniciativat ka qenë edhe një video parodi ndaj filmit “Taken” që po korr sukses në rrjetet sociale dhe që sipas Xhafajt “i përgjigjet me humor” një filmi që hedh një dritë të zymtë vendit,  dhe që në të njëjtën kohë “promovon bukuritë e Shqipërisë”.