
Vrau kunatën që të mos krijonte lidhje tjetër, arrestohet
Dashamir Xhepa, personi që dyshohet se vrau kunatën e tij Lirie Xhepa dy javë më parë, është vënë në pranga nga policia. Bashkë me të është arrestuar edhe një person tjetër, me inicialet M.S., i cili akuzohet për “përkrahje të autorit të krimit”.
Sipas Policisë, përmes rrugëve operative është zbuluar se ai ndodhen në Peshkopi, ku është kryer edhe arrestimi i tij. Mbi Xhepën rëndojnë akuzat e “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Lirie Xhepa u gjet e pajetë pranë liqenit të Sharrës më 14 shkurt. Sipas hetuesve, që kanë bërë edhe zbardhjen e dinamikës së ngjarjes. 49-vjeçarja është vrarë në një tjetër vend dhe më pas trupi i saj është dërguar atje. Kunati dyshohet se e ka vrarë për shkak se nuk e lejonte që Liria të krijonte një lidhje të re dashurie, edhe pse bashkëshorti i kishte vdekur 10 vite më parë.
Lirie Xhepa jetonte bashkë me djalin e vogël dhe shtëpia ndodhet vetëm 200 metra larg vendit, ku ajo u gjet e pajetë. Dy prej djemve të 49-vjeçares janë emigrantë dhe jetojnë prej vitesh jashtë shtetit, ndërsa një tjetër ndodhet në burg.