Delegacioni i PE në Tiranë, Basha: Shqipëria s’ka demokraci, jo dialog me Ramën

Kryetari i PD, Lulzim Basha dhe partive të tjera opozitare ishin të parët që delegacioni i PE takoi në kuadër të vizitës 2 ditore që mban në Tiranë, për shkak të situatës politike në vend.

Pas afro 60 minutash bisede, lideri i opozitës, Lulzim Basha, tha se kishte njohur 7 eurodeputetët me situatën emergjente në të cilën, sipas tij ndodhet vendi, zgjidhja e të cilës është krijimi i një qeverie tranzitore, tha Basha.

“Qeveria nuk punon për njerëzit, por për hajdutët me të cilët ka ardhur në pushtet. Dezinformimi është problemi që ka vendi. Prandaj, ishte e rëndësishme që të flisnim hapur dhe shkoqur me miqtë tanë, për t’i treguar gjendjen ku ndodhet vendi dhe opozitës nuk i është lënë asnjë mundësi tjetër, të bëhet njësh me krimin që ka kapur qeverinë. Nuk do të komentojë deklaratat e askujt. Nuk merrem me komentet e deklaratat e misioneve të huaja. Sot në Shqipëri nuk ka as demokraci dhe as stabilitet, këtë ndërkombëtarët duhet ta kuptojnë”, u shpreh Basha.

Basha tha më tej se detyra e opozitës është të shpjegojmë me fakte atë që ka ndodhur. “Shqetësimi i tyre është stabiliteti, por në këtë fazë të rëndësishme ku ndodhet vendi, demokracia është shkatërruar. Miqtë tanë do ta kuptojnë se përqasja mes stabilitetit dhe demokracisë ka dështuar. Kjo garë për të zbuluar të vërtetën është në pozita fituese sepse mbështetja e qytetarëve për rrugëdaljen e propozuar nga opozita janë një fakt. Është një proces që po vazhdon dhe unë kam shumë besim që do të shkojë deri në fund”, u shpreh Basha.

Në përgjigje të A2 CNN, lideri i opozitës mohoi prerazi të jetë në komunikim me kryeministrin Edi Rama në një përpjekje për dialog.

Basha po ashtu rrëzoi mundësinë për kthimin e një marrëveshje si ajo e 2017. Pas opozitës, ishte ministri i Brendshëm, Sandër Lleshi, që u takua me eurodeputetët, por shmangu komentet për mediat.

Axhenda e delegacionit të kryesuar nga Tunne Kelam, u mbyll me takimin me Kryeministrin Edi Rama.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN