Delegacioni i PE në Tiranë, nis takimi me Bashën dhe Kryemadhin

Delegacioni i Parlamentit Europian nis takimet me përfaqësuesit e opozitës. Në zyrën e delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë kanë mbërritur kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe ajo e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.

Menjëherë pas tyre, në të njëjtën godinë do të hyjë edhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ndërsa një orë më pas do të vizitojnë Kryeministrin Edi Rama në zyrën e këtij të fundit.

Takimet do të vijojnë ditën e nesërme, fillimisht ne orën 8:00 me kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçin dhe në orën 9:00 me përfaqësues të shoqërisë civile, ku do të jenë edhe dy studentë nga Lëvizja për Universitetin.

Në 10:15, parlamentarët europianë do të mbajnë edhe një konferencë për shtyp.

Vizita vjen në një nga momentet më të tensionuara politike në vend, pasi deputetët e opozitës kanë dorëzuar mandatet dhe kanë nisur një seri protestash.

Para nisjes së vizitës, kreu i delegacionit, Tunne Kelam, i cili vjen nga radhët e Partive Popullore, ku bën pjesë edhe Partia Demokratike, tha: “Dënojmë me forcë të gjithë retorikën politike që nxit dhunë dhe nxisim opozitën që të angazhohet përsëri në procesin demokratik parlamentar. Qeveria dhe opozita duhet me urgjencë të ulin tensionet përmes diskutimeve konstruktive”.

Shkarkoni aplikacionin e A2