Eurodeputetët në Tiranë, takimi i parë me Bashën dhe Kryemadhin

Delegacioni i Parlamentit Europian mbërrin sot në Tiranë, për të realizuar një vizitë dyditore në përfundim të së cilës do të vlerësojnë realizimin e objektivave që ka Shqipëria katër muaj para marrjes së vendimit për çeljen e negociatave.

Vizita vjen në një nga momentet më të tensionuara politike në vend, pasi deputetët e opozitës kanë dorëzuar mandatet dhe kanë nisur një seri protestash.

Pikërisht liderët e opozitës, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, janë dy personat e parë që do të takohen me eurodeputetët, takim që do të zhvillohet në orën 16:15 në selinë e Bashkimit Europian në Tiranë.

Sipas agjendës, në 17:10, ata do të presin ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, ndërsa një orë më pas do të vizitojnë Kryeministrin Edi Rama në zyrën e këtij të fundit.

Takimet do të vijojnë ditën e nesërme, fillimisht ne orën 8:00 me kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçin dhe në orën 9:00 me përfaqësues të shoqërisë civile, ku do të jenë edhe dy studentë nga Lëvizja për Universitetin. Në 10:15, parlamentarët europianë do të mbajnë edhe një konferencë për shtyp.

Para nisjes së vizitës, kreu i delegacionit, Tunne Kelam, i cili vjen nga radhët e Partive Popullore, ku bën pjesë edhe Partia Demokratike, tha: “Dënojmë me forcë të gjithë retorikën politike që nxit dhunë dhe nxisim opozitën që të angazhohet përsëri në procesin demokratik parlamentar. Qeveria dhe opozita duhet me urgjencë të ulin tensionet përmes diskutimeve konstruktive”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN