Hapen dosjet e komunizmit, kampionët e përndjekur të sportit…

Të harrosh të kaluarën, do të thotë të humbasësh të ardhmen. Sado dramatike, janë copëza historie: ngjarje që kanë lënë plagë të thella gjatë komunizmit dhe jashtë të cilave nuk mund të mbetej as sporti.

Emra të mëdhenj të cilët janë ndëshkuar, penalizuar apo penguar të shkëlqenin në maksimumin e tyre. Histori të paraqitura në aktivitetin “Sigurimi dhe Sporti”.

“Kemi pasur sportistë të ekzekutuar, të burgosur, por edhe të tjerët që kanë vazhduar karrierën kanë pasur goditje të kontrolluar. Të tregojmë deri ku ka qenë i shtrirë kontrolli i regjimit komunist përmes sigurimit të shtetit”, tregon Jonila Godole, drejtuese e IDMC.

Për herë të parë janë hapur edhe dosjet e disa prej sportistëve më të spikatur, të përndjekur nga sigurimi në kohën e Komunizmit.

“Janë histori njerëzish të famshëm, idhuj të sportit shqiptar. Për shembull, Qemal Vogli, është një histori e bashkëpunimit të sigurimit dhe STASI-t për ta rrëmbyer sportistin, për ta sjellë këtu”, tregon Gentiana Sula, drejtuese e AIDSSH.

Histori drithëruese, si ajo e Qemal Voglit, e treguar nga e bija, Mimoza. “Bën një ndeshje me një ndërmarrje tjetër dhe Qemali ishte në kulmin e tij, kishte bërë një paraqitje spektakolare në portë. Organet e Sigurimit të Shtetit e thirrën dhe i thanë “mos më se përsëri mund të përfundosh në burg”. Me lot në sy, më thoshte që ‘ai është pengu i jetës sime’”, tregon Mimoza Vogli, vajza e Qemal Voglit.

Çdo arsye, sado qesharake mund të tingëllojë, bënte që ëndrra të ndërpritej.

“Kapiteni i Dinamos në atë kohës është arrestuar për 5 dollarë në xhep, por sot nuk është momenti i dhimbjes, por momenti i forcës”, shprehet Kreshnik Tartari, ish-volejbollist dhe ish-trajner.

“Sporti dhe Sigurimi” ishte pjesë e programit Ditëve të Kujtesës, që ka si qëllim ndërgjegjësimin e brezave rreth së shkuarës.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN