Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Projeksioni i INSTAT: Popullsia drejt tkurrjes dhe plakjes

Nga A2 CNN
27 Shkurt 2019, 16:02 | Ekonomi
Projeksioni i INSTAT: Popullsia drejt tkurrjes dhe plakjes

Popullsia e Shqipërisë do të tkurret dhe do të plaket. Janë këto projeksionet e reja të popullsisë për periudhën 2019-2031, të publikuara nga Instituti i Statistikave.

Sipas të dhënave të INSTAT, popullsia e Shqipërisë në vitin 2031 llogaritet të jetë rreth 2.7 milionë banorë sipas projeksioneve normale dhe më pak se 2.6 milionë banorë sipas skenarit pesimist. Ky numër është rreth 36 mijë banorë më pak krahasuar me numrin e popullsisë në Projeksionet e Popullsisë 2011 – 2031.

INSTAT vë në dukje se, ndryshimi i këtij numri është pasojë direkte e normave më të ulëta të lindshmërisë dhe shpërndarja gjinore e emigrantëve. Në të njëjtën kohë, numri i vdekjeve do të vazhdojë të rritet, si pasojë e një popullsie më të madhe në moshë të vjetër. Këto dy ndryshime do të sjellin edhe rënien e shtesës natyrore.

Projeksionet e INSTAT-it flasin edhe për ndryshim të strukturës gjinore të popullsisë. Në vitin 2011, Shqipëria ishte një vend ku kishte më shumë burra se sa gra. Kjo tashmë ka ndryshuar, pasi në vitin 2019 kemi më shumë gra se burra. Raporti gjinor pritet të thellohet në favor të grave edhe në vitet në vijim.

Ndërkaq projeksionet tregojnë se popullsia e Shqipërisë do të vazhdojë procesin e plakjes dhe pritet që mosha mesatare e saj të arrijë në 42,1 vjeç, në vitin 2031. Tirana pritet të popullohet edhe më shumë dhe të zërë 35% të popullsisë së Shqipërisë, ndërsa qarqet me popullsinë ,më të ulët parashikohet të jenë Gjirokastra dhe Kukësi.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani